Secondary Adv

Banka e Shqipërisë: 75 për qind e kredive hipotekore përqendrohen në Tiranë

Kreditimi i individëve u rrit me 17.1%, ndërsa tre të katërtat e kredive hipotekore janë në Tiranë.

Kredia për individët është kthyer në segmentin më dinamik të huadhënies bankare në Shqipëri. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, ajo u rrit me 17.1% në terma vjetorë, e mbështetur nga kreditë konsumatore dhe ato për blerjen e banesave. Sipas Bankës së Shqipërisë, që prej vitit 2022 ritmet e rritjes së kredisë për individët kanë qenë vazhdimisht më të larta se ato të financimit për bizneset.


Kreditimi zhvendoset drejt Lekut

Rritja është orientuar pothuajse tërësisht drejt monedhës vendase. Kredia në lekë dha 15.7 pikë përqindje, ose rreth 92% të zgjerimit të huadhënies për individët, ndërsa kredia në valutë kontribuoi me vetëm 1.4 pikë përqindje. Kredia në lekë u rrit mesatarisht me 20.2% në terma vjetorë gjatë gjashtëmujorit të parë, kundrejt 5.5% për kredinë në valutë.


Në fund të qershorit 2026, kreditë në lekë përbënin 78.8% të totalit të kredisë për individët, nga rreth 64.5% në fund të vitit 2019, ndërsa pesha e financimit në valutë ishte tkurrur në 21.2%. Zhvendosja drejt Lekut është favorizuar nga normat relativisht të ulëta të interesit dhe politikat e sistemit bankar për reduktimin e rrezikut të kursit të këmbimit.


75 për qind e kredive hipotekore janë në Tiranë

Kredia konsumatore regjistroi rritjen më të lartë, me 18.4% në terma vjetorë, ndërsa kredia hipotekare u zgjerua me 16.1%. Harta e kreditimit tregon një përqendrim të fortë në kryeqytet. Tirana përfaqëson 56.8% të stokut të kredisë konsumatore, Shqipëria perëndimore 27.2%, Shqipëria e mesme 8.9% dhe ajo lindore vetëm 7.1%.


Përqendrimi është edhe më i madh te financimi për blerjen e banesave, ku 75% e portofolit të kredisë hipotekare për individët ndodhet në Tiranë. Shqipëria perëndimore përfaqëson 17.3%, ndërsa pjesa tjetër e vendit ndan një pjesë shumë më të vogël. Banka e Shqipërisë evidenton se gjatë dekadës së fundit pesha e Tiranës dhe qyteteve kryesore bregdetare në kreditimin e individëve është rritur vazhdimisht.


Interesat mbeten të favorshme

Norma mesatare e interesit për kreditë hipotekare në lekë ishte 3.9% gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, e pandryshuar nga mesatarja e gjashtëmujorit të dytë të vitit të kaluar. Për kreditë konsumatore, interesi mesatar zbriti në 8.5%, nga 8.6% gjatë vitit 2025. Ndërkohë, normat për kreditë hipotekare në euro kanë shfaqur një prirje të lehtë rritëse, të lidhur edhe me ecurinë e Euribor-it.


Bankat lehtësuan gjithashtu standardet e kreditimit si për kreditë konsumatore, ashtu edhe për blerjen e banesave. Konkurrenca mes bankave vlerësohet si faktori kryesor, ndërsa institucionet financiare kanë rritur tolerancën ndaj rrezikut, madhësinë e kredive dhe afatet e shlyerjes. Lehtësimi ka qenë më i dukshëm në segmentin e kredive konsumatore.


Kërkesa për kredi pritet të vijojë rritjen

Rritja e kreditimit të individëve është pjesë e një tendence më të gjerë rajonale. Në vendet e Ballkanit, me përjashtim të Rumanisë, rritja vjetore luhatet mes 12% dhe 21%, ndërsa në Evropën Qendrore mes 5% dhe 17%. Me një rritje prej rreth 17%, Shqipëria pozicionohet pranë mesatares së vendeve të Ballkanit.


Sipas vrojtimeve të aktivitetit kreditues, kërkesa e individëve pritet të vazhdojë të rritet si për blerjen e pasurive të paluajtshme, ashtu edhe për konsum, e mbështetur nga pritshmëritë për tregun e pronave, konsumin privat dhe besimin konsumator. Bankat parashikojnë gjithashtu kushte më të favorshme financimi gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, veçanërisht për kreditë hipotekare. Me kreditimin e individëve që rritet me 17.1%, kredinë konsumatore me 18.4% dhe hipotekat me 16.1%, familjet po zënë një peshë gjithnjë e më të madhe në aktivitetin kreditues, ndërsa tre në katër lekë të kredisë hipotekare janë të përqendruara në Tiranë.


Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat